Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se ShBA-ja dhe aleatët e saj nuk ishin të përfshirë në rebelimin e grupit mercenar Wagner në Rusi gjatë fundjavës, raporton BBC.
Joe Biden ka thënë se SHBA-ja është koordinuar me aleatët për reagimin ndaj asaj që po ndodhte.
“Ne jemi përkujdesur që të mos i japim Putinit rast që ta fajësojë Perëndimin dhe NATO-n për këtë. Ne nuk patëm asgjë të bëjmë me këtë, ishte një luftë brenda sistemit rus”, tha Biden.
Më herët të hënën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se autoritetet ruse po hetojnë nëse shërbimet sekrete të perëndimit ishin të përfshira në këtë rebelim.
Presidenti i ShBA-së, Biden, në konferencë për media ka thënë se ka folur me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe se i ka thënë se ShBA-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kievin pavarësisht se çfarë po ndodh në Moskë.


