Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkuar në takim me presidenten Vjosa Osmani, pasditen e së enjtes.
Ai kishte propozuar që Osmani të zhvillonte takime me krerët e partive opozitare, për të diskutuar mbi situatën në veri. Ftesën e ka refuzuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi e ka arsyetuar vendimin me sjelljen e Osmanit për zhvillimet e fundit, duke konstatuar se ajo ka shkelur obligimin e saj kushtetues.
“Dje kam pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.


