Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka bërë të ditur se dje ka pranuar nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani një letër me të cilën e ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së.
Krasniqi ka thënë se e ka refuzuar ftesën e saj për shkak të indiferencës në raport me zhvillimet e fundit dhe për shkak të neglizhimit të obligimit të saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët.
“Dje kam pranuar nga Presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, shkroi Krasniqi në Facebook.


