Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka përkujtuar 24 vjetorin e çlirimit të Prishtinës, ku me këtë rast ka folur edhe për situatën politike në vend.
Halimi ka thënë se tash në këtë kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të reflektoj sepse siguria e vendit varet nga marrëdhëniet me SHBA, NATO e BE-në.
“Ndaj, kur vendi sot ndodhet në situatën më të brisht të lëkundjes së këtij raporti, Kryeministri Albin Kurti duhet të reflektojë sepse liria dhe siguria jonë varen nga aleancat dhe partneritet tona me ShBA dhe BE e NATO.” – ka shkruar ajo.
Më tej, Halimi thekson se “asnjë politikani nuk i lejohet që të instrumentalizojë qytetarët për efekte të politikave ditore, ose në shërbim të ideologjisë së majtë, duke nxitur shpërfillje ndaj Perëndimit.”
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po sot u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti ka thënë se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Por rruga për shtensionim në veri, sipas tij, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje.
LEXO më shumë:
Kurse po sot emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Escobar ka thënë se Kurti është partner i ShBA-së, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë.
LEXO më shumë:


