Në mbledhjen e 51-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, kryeministri Albin Kurti ka folur për situatën në veri të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.
Kurti ka përsëritur edhe një herë që objektet komunale janë ndërtesa që i përkasin Republikës së Kosovës dhe jo të një etnie.
“Në Mitrovicë, Atiq po e konsolidon kabinetin e tij. Drejtorët nuk i ka vetëm shqiptarë. Edhe Hetemi e ka një nënkryetare serbe, ashtu si në Zveçan. Unë e kam ministër Nenad Rashiqin dhe kam bashkëpunim të mirë. Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë që në komunat veriore të ketë vetëm kryetar serb dhe të hyhet në objektet komunale vetëm kryetari serb. Ndërtesa është e Republikës. Nuk ka asnjë ndërtesë publike në Republikën e Kosovës ku mund të hyjë vetëm një etni. Ashtu i bie që ndërtesat të jenë segragacion, aparteid. E kemi përjetuar në shekullin e kaluar, nuk duam ta përjetojmë në këtë shekull. Jo për inat të ndokujt, por për hir të Republikës”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë. Sipas tij, dhuna në komunat veriore zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tregoi një bisedë telefonike që kishte zhvilluar me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin i cili ndodhet në objektin e komunës tash e dy javë.
“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyrë se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i brengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë , prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, tha Kurti.
Kryeministri ka falënderuar Policinë e Kosovës për punën profesionale, derisa ka theksuar se Kosova asnjëherë as nuk synon e as nuk e ka në tekstet themeltare të saj si shtet, diskriminimin e dikujt.
“Komuniteti serb në Kosovë ka të drejta të zgjeruara. 4% e popullësisë janë serb dhe qeverisin në rreth 27% të komunave apo 10 prej 38 komunave në Kosovë”, tha Kurti.

Në këtë rast kryeministri Albin Kurti theksoi se për çka Kosova i qëndron pas ShBA-së dhe BE-së, ndërsa përsëriti se duhet largim i bandave kriminale nga veriu.
LEXO më shumë:


