Rreth një muaj më parë, respektivisht më 4 maj 2023, në stacionin policor qendra në Prishtinë, është inicuar një rast për veprat vrasje në tentativë, sulm dhe armëmbajtje pa leje.
Ky rast, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës ka ndodhur në një lokal në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, ku nga arma e zjarrit është plagosur një person.
Menjëherë pas raportimit thuhet se Policia ka filluar trajtimin e informacioneve si dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin.
“Hetuesit kanë arritë të identifikojnë dhe sigurojnë prezencën e njërit prej personave të dyshuar, i cili dje është intervistuar nga ana e policisë dhe me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.
Bëhet e ditur se ndaj të dyshuarit po kryhen procedurat për veprat vrasje në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje , ndërkohë që hetuesit po punojnë në arrestimin e personit tjetër të dyshuar për veprën sulm, i cili është identifikuar dhe ndodhet në arrati.


