Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si jo rrallë edhe kësaj here është përzier në punët e Kosovës pa ia kërkuar askush këtë. Madje Rama kësaj here ka prekur në çështjen që ka nxitur tensione së fundi në Kosovë. Ai ua ka propozuar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman, Scholz të cilët i cilësoi si “kumbarë” të planit franko-gjerman.
Në një konferencë për media lidhur me situatën në veri të Kosovës, Rama ka deklaruar se për të, i pakuptueshëm mbetet pozicioni i Kosovës dhe jo ai i Serbisë.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, një draft të Asociacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe palën amerikane. Është një draft i punaur nga ekspertë nga nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë, prej kohësh. Një gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë. Kjo ditë kur palët, dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që e përsëris, bënë atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët, nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruaj këtë tekst, e jo më se çka duhet të ketë teksti”, ka thënë Rama.
Ky i fundit ka thënë se beson që krijimi i Asociacionit në Kosovë paraqet një derë për hapjen e dyerve ndërkombëtare për Republikën e Kosovës.
“E kam ditur me kohë që “Nyja Gordiane” do të ishte Asociacioni i Komunave me shumcië serbe, dhe bindja ime është se asnjëhra nga palët nuk e do Asociacionin, dhe do të bëjë qmos që ta shtyej atë në pafundësi, duke e mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificesh politike apo teknike. Nga ana tjetër, besoj, çdo ditë e më shumë, se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtarë të Kosovës, e njohjes së saj nga të gjithë, e uljes së saj në Kombet e Bashkuara e të gjitha forumet ndërkombëtare, dhe e njohjes së ndërsjellë me Serbinë”, ka thënë Rama.
Kryeministri Rama ka thënë se mbetet i shqetësuar për atë që ai e quajti “tkurrje e Kosovës” në sytë e aleatëve gjersa morri rritjen e numrit të trupave në Kosovës. Sipas Ramës, kjo paraqet në uljet e kapacitetit sovran të Kosovës.
I njëjti ka theksuar se për Kosovën nuk ka asnjë rrezik nga Serbia gjersa theksoi se Serbia ka humbur Kosovën që nga viti 1999.
“Kosova ka që në vitin 1999 që nuk është në asnjë kërcënim. Nuk ka asnjë kërcënim. Zero. Kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme, duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999, dhe Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prek Kosovës as një fije floku. Këtë e di cilido që e shikon skenën pa interesat elektorale brenda Serbisë apo Kosovës”, ka deklaruar ai.
Draft-statutin e propozuar, Rama tregoi se nuk e ka biseduar me homologun e tij nga Kosova, Kryeministrin Albin Kurti.
Kujtojmë se Edi Rama nuk është hera e parë që përzihet në këtë mënyrë në punët e Kosovës dhe atë pa ia kërkuar askush. E këto ndërhyrje të tij, në të shumtën e rasteve nga shoqëria civile e eksponentë të politikës nga Kosova janë cilësuar si të dëmshme për Kosovën.



