I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për BBC-në, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.
Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.
“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.
Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.
“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.
Escobar, bashkë me të dërguarin evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më 5 dhe 6 qershor.
Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, Defender Europe 2023.
Për BBC sot foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku komentoi situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Kurti ka thënë se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës do të largohen nga ndërtesat e komunave në veri, nëse bandat kriminale në veri largohen për në Serbi apo futen në burg në Kosovë.
“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët tanë atëherë kujt duhet t’i shërbejnë ato. Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë e qëndrojë. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”, tha Kurti.


