Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhlelal Sveçla ka reaguar ndaj siç ka thënë kërcënimeve të hapura që bandat kriminale dhe Lista serbe po u bëjnë qytetarëve në pjesën veriore, duke i detyruar që të nënshkruhen në lista për pjesëmarrje në protestë.
Ai tha se serbët e Kosovës në vazhdimësi janë nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.
“Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”, ka shkruar në reagimin e tij Sveçla.
Ai tha se kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave.
Në këtë rast, ministri Sveçla theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.
“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serbë të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, ka thënë ai.


