Qytetarët serbë kanë nisur të mblidhen në protestë edhe sot, për të tretën ditë me radhë. Ata po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të cilët morën mandatin pas zgjedhjeve të fundit që u mbajtën në komunat Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Sikurse dje në Zveçan, ushtarët e KFOR-it po ruajnë objektin e komunës dhe tashmë kanë vendosur rrethojën me gjemba.
Grumbullim të qytetarëve ka edhe në afërsi të ndërtesës së Komunës së Zubin-Potokut. Pranë objektit komunal është e vendosur Policia e Kosovës, ndërsa në distancë më të gjerë pjesëtarët e KFOR-it.
Për të tretën ditë këtë javë, serbët në veri të Kosovës janë mobilizuar në tri komunat veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, për të kundërshtuar me dalje në rrugë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të rinj nga objektet komunale.
Në ditët e kaluara tensionet kanë qenë evidente, ndërsa për sot (e mërkurë) ka pasur thirrje nga serbët për “mobilizim masiv”.



