Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi ka thënë se edhe pse kanë kaluar 691 ditë, ai nuk është ftuar nga prokuroria lëndën që e ka dorëzuar e për të cilën ka dyshim të bazuar për korrupsion
Ai tha se kontratën ““Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017 –2019” e ka dorëzuar më datë 2 korrik 2021, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Ajo është nënshkruar në mars 2018 në kohën e ministrit Pal Lekaj. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 500 mijë euro. Në fund kjo kontratë kishte përfunduar në vlerën 5 milion e 300 mijë euro.
Sipas tij, pas hapjes së ofertave, vlerësimit të tyre, derisa në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro në kontratën e nënshkruar, te kushtet e përgjithshme të kontratës ndërhyhet dhe ndryshohet në mënyrë të kundërligjshme neni 24.1. Me ç’rast i gjithë buxheti i paraparë për ndërtimin dhe rikonstruimin e urave në tërë territorin e Kosovës në shumë prej 4.3 milionë euro, vendoset kundërligjshëm për ekzekutimin e kësaj kontrate.
Për ta shpjeguar më mirë pse kjo kontratë ka lëvizur brutalisht nga 500 mijë në 5 milionë e 300 mijë, Durmishi i mori dy elemente të kësaj kontrate
Njëra sipas tij është se për gërryerjen dhe pastrimin e betonit të degraduar fillimisht ishin parapara 350 metra katror me çmim 5 euro për metër katror. Në fund sipërfaqja e gërryer dhe e pastruar arrinë në rreth 104 mijë metra katror apo 297 herë më shumë se që ishte parë fillimisht, ndërkaq vlera në mbi gjysmë milioni euro nga rreth më pak se 2000 euro që ishte paraparë në fillim.
Ndërkaq tjetra sipas tij është se në fillim ishin paraparë që të lyhen shtyllat e urës me një sipërfaqe prej vetëm 450 metra katror me çmim 10 euro për metër katror. Në fund sipërfaqja e lyer u rritë për 231 herë më shumë, mbi 103 mijë metra katror, dhe ishin shpenzuar gati 1 milion euro më shumë se që ishte planifikuar.
“Ky është vetëm një rast i një keqpërdorimi flagrant e për të cilin ende nuk po shohim veprime nga prokuroria speciale”, përfundoi ai.


