Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Britanisë së Madhe kanë arritur marrëveshje, sipas së cilës qindra të burgosur shqiptarë që gjenden në burgjet e Britanisë do të kthehen për ta vuajtur dënimin në Shqipëri.
Në këmbim Britania e Madhe do të ndihmojë të modernizohet sistemi i burgjeve shqiptare, raporton “The Sun”.
Sipas marrëveshjes së re, 200 shtetas shqiptarë që po vuajnë dënime me mbi 4 vjet burg në Angli apo Uells, do të dërgohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Marrëveshja është firmosur nga ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja dhe ai i Britanisë, Alex Chalk.
Sipas marrëveshjes, Qeveria e Britanisë do të ofrojë përkrahje për modernezim dhe zgjerim të sistemit të burgjeve në Shqipëri, për t’u përkujdesur që të ketë kapacitete për të mbajtur të burgosurit. Këto përmirësime do të shpejtojnë dëbimet në të ardhmen.
Po ashtu do të lirohen kapacitetet në burgjet në Angli dhe Uells.
Marrëveshja totale do t’i kushtojë Britanisë afro 8 milionë funte për dy vjet, që i bjen afro 32 funte në ditë për një të burgosur. Krahasuar për qëndrimin në burgje në Angli apo Uells, për një të burgosur duhet shpenzuar mesatarisht 109 funte në ditë. Po ashtu MPJ e Britanisë do të paguajë për transferimin e të burgosurve.


