Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në ceremoninë hapesë të “Defender Europe 23”, ka thënë se Kosova është shteti i katërt që ka më së shumti pjesëmarrës, rreth 1400 trupa.
Mehaj ka thënë se ushtrimet e FSK-së për këtë stërvitje kanë filluar para 1 viti.
“Vendi i 4 me më së shumti pjesëmarrës. Kemi filluar që 1 vit ushtrimet, kemi blerë pajisjet ushtarake e kemi bërë stërvitje Është e rëndësishme ngritja e kapaciteteve. Rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një, në NATO. Ne do të plotësojmë çdo detyrë, që të jemi pjesë e NATO-s”, theksoi ai.
Ministri tha se do ta mbrojnë atdheun, dhe se liria i takon popullit.
““Gjatë këtyre dy viteve, fokusi ynë kryesor ka qenë në rritjen e numrit të ushtarakëve, trajnime, stërvitje e shkollime, pastaj në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së pajisjeve ushtarake dhe sistemeve të reja. E gjithë kjo është bërë për t’i dalë zot vendit tonë. Atdheun e çliruar dhe lirinë e fituar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ne do ta mbrojmë kurdo që do të jetë e nevojshme…Do ta mbrojmë atdheun kur do të është e nevojshme. Liria i takon vendit, vendi i takon popullit, paqja është rruga jonë dhe e vetmja”, pohoi ai.
Ministri iu uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve në këtë stërvitje, duke shtuar se duhet dëshmuar se janë të gatshëm për të qenë pjesë e NATO-s.
“Ngritjen e kapaciteteve tona do t’i bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s. Sepse rruga dhe rrugëtimi ynë është i qartë. Destinacioni ynë është një dhe i vetmi: anëtarësimi në NATO. Prandaj, ne do të jemi përmbushës të çdo detyre, çdo obligimi që kërkohet që ne të bëhemi pjesë e familjes euro-atlantike”, tha Mehaj.


