Në 12 lokacione Policia e Kosovës ka kryer bastisje të mërkurën nën dyshimin për dallavere në Ndërmarrjen Publike Banesore, lidhur me një kontratë për ndërtimin e katër objekteve afariste e banesore në vlerë prej mbi 120 milionë eurosh.
Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, janë kryer kontrolle në pronat e të dyshuarve: H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B..
Ata dyshohet se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së; “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i KPRK-së; dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet në njoftim.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar: 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, 6 laptopë, 2 shtëpiza, 11 telefona, 2 sim card dhe 6 usb.


