Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do ta presë nesër në takim ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Qeveria ka bërë të ditur se takimi do të fillojë herët në mëngjes, në orën 7:30.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”, ka njoftuar qeveria përmes një komunikate.
Përveç takimeve me Kurtin e Vuçiq, Lajçak pritet të takohet dhe me kryenegociatorët, Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, me qëllim të përgatitjes së takimit te radhës në nivel kryenegociatorësh.
Kjo vizitë vjen në kohë kur Qeveria e Kosovës shkarkoi nga detyra Ekipin menaxhues që hartoi draft statutin Asociacionit dhe replikave të forta mes zëdhënësit të BE-së, Peter Stanos dhe zyrtarëve kosovarë, në lidhje me këtë çështje.
Stano tha se shkarkimi i atij ekipi do të duhej të bëhej pasi të përfundonte çështja e Asociacionit kurse zyrtarët kosovarë kritikuan Stanon se është në gjendje të flasë për diçka të tillë por jo edhe për lobinin që Serbia bën në dëm të Kosovës për njohje të reja e që është e ndaluar sipas aneks marrëveshjes së Ohrit.
Kritikë të fortë ndaj këtij ekipi ka dhënë një ditë më parë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, sipas të cilit, nëse Asociacioni ka për qëllim defunksionalizimin e Kosovës nga brenda, atëherë Kosova nuk ka arsye të marrë pjesë në dialog.


