Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për anëtarësim në strukturat e NATO-s në rast se arrin marrëveshje me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh.
Kështu ka thënë ajo në një diskutim në Këshillin Atlantik, ku foli mbi zhvillimet e fundit në dialogun Prishtinë-Beograd, rrugën euroatlantike të Kosovës dhe vizionin e saj për të ardhmen e Kosovës.
“Në kuadër të dialogut me Serbinë, Kosova mori garanci nga partnerët se nëse do të pranonim marrëveshjet e dialogut në Bruksel dhe Ohër, një nga çështjet për të cilat do të marrim një mbështetje të madhe do të ishte veçanërisht anëtarësimi në programin e Partneritetit për Paqe më vonë NATO – që është mjaft shtytje pozitive”, ka thënë ajo.
Osmani tha se Kosova pas pak ditësh do të jetë vend pritës i ‘Defender Europe 2023’, stërvitja më e madhe që do të ndodhë në kontinentin evropian.
“Shumë aleatë të NATO-s do të marrin pjesë. Jam shumë krenare për arritjet e FSK-së. Unë besoj vërtet në kapacitetet e tyre”, ka thënë mes tjerash Osmani.
Në këtë rast ajo ka bërë thirrje që procesi i dialogut të mos bjerë në kurthin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në intervistën e dhenë të mërkurën, ajo e ka cilësuar tejet të rrezikshme qasjen “që në dialog të normalizohet Vuçiqi, ashtu që të duket si lider proevropian”.
Duke folur për dialogun, Osmani ka thënë se fillimisht duhet të dihet se me kë ka punë Kosova.
“Së pari, përderisa dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është tej mase i rëndësishëm, me synimin për njohje reciprokje, nocioni ‘normalizim raportesh’ po përdoret nga BE-ja për shkak të statusit neutral. Synimi është ‘normalizimi’, e procesi s’duhet të shfrytëzohet për ta normalizuar Vuçiqin që të duket si lider proevropiane, e që s’është. Le ta themi të vërtetën. Po përballemi me një autokrat”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia është shtet që s’ka kërkuar kurrë falje për gjenocidin e se ngel e vetmja palë që duhet t’i bëhet thirrje për angazhim në dialog. “Janë gati 40 marrëveshje të arritura, e lista e shkeljeve të Serbisë është shumë, shumë e gjatë. Vetëm në javën e shkuar, kanë bërë tetë shkelje të marrëveshjeve të fundit”.
Ajo ka thënë se janë ekstremisht të rrezikshme përpjekjet që nga marrëveshjet e fundit fokusi të jetë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mbi çështjet tjera.
“Nuk duhet të biem në kurthin e Vuçiqit, që është që të shtyhet dhe zvarritet dialogu”, ka thënë Osmani.
Osmani po ashtu është shprehur se draft-statuti i propozuar nga Ekipi Menaxhues tashmë i shkarkuar, duhet të refuzohet njëzëri, pasi sipas saj, është model i rrezikshëm.
Ajo tha se ai draft-statut nuk duhet të jetë bazë për negociata, pasi siç tha, ai është një model për Republika Srpska Plus.
“Kjo tregon se Serbisë nuk i intereson për të drejtat e minoriteteve por në fakt i intereson të ketë një instrument që do të vazhdojë ta sfidojë sovranitetin territorial të Kosovës”, është shprehur Osmani.
E para e shtetit tha se draft-vizioni i propozuar nga Qeveria e Kosovës paraqet parimet mbi të cilat do të duhej të ndërtohej statuti i Asociacionit, i cili sipas saj, ndjek plotësisht dispozitat kushtetuese dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Pika e nisjes duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës, jo propozimi i Serbisë që synon krijimin e një republike tjetër Dodikase apo edhe më të keqe në rajonin tonë dhe që synon të krijojë më shumë probleme dhe të na çojë në vitet ’90”, tha ajo për Atlantic Council.
Diskutimi mund të ndiqet në linkun më poshtë:


