Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), nën praninë të ministrit të Bujqësisë Faton Peci, kanë zhvilluar aksion për ndalimin e therjeve të kafshëve dhe shpezëve në hapësira publike, specifikisht në hapësirat e ish-tregut të makinave në Kodrën e Trimave.
Shitësit u ankuan se Komuna e Prishtinës nuk ka caktuar ose ndërtuar ndonjë lokacion ku do të mund të bëhej therja e kafshëve dhe shpezëve sipas rregullave dhe në mënyrë legale.
Pas inspektimit 3 kamionë u larguan nga vendi ku po shisnin pula.
Vetë ministri Faton Peci tha se duhet t’i japim fund dukurisë së shëmtuar dhe shumë të dëmshme të therjes së kafshëve dhe shpezëve në hapësira publike.
“Ky aksion sot në hapësirat e ish tregut të makinave në Kodrën e Trimave, sikurse ai i para dy ditëve në Zonën Industriale Prishtinë – Fushë Kosovë, kanë për qëllim mbi të gjitha mbrojtjen e shëndetit publik. Falënderojmë Policinë – Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, për mbështetjen e këtij aksioni”, ka shkruar Peci.
Ministri tha se nga autoritetet komunale kërkojnë të përmbushin detyrimet ligjore që të krijojnë kushte dhe hapësira të lejuara të përshtatshme për ushtrimin e veprimtarive të caktuara.




