Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Koreja e Jugut kanë arritur marrëveshje historike me të cilën synojnë të kundërshtojnë kërcënimin bërthamor nga Koreja e Veriut.
Uashingtoni ka rënë dakord që të dislokojë në mënyrë periodike nëndetëset me armë bërthamore të ShBA-së në Korenë e Jugut dhe të përfshijë Seulin në operacionet e tij planifikuese bërthamore.
Në këmbim të kësaj Koreja e Jugut është pajtuar që të mos zhvillojë armët e saj bërthamore.
Presidenti amerikan Joe Biden, ka thënë se Deklarata e Uashingtonit do të forcojë bashkëpunimin e aleatëve në pengimin e një sulmi të mundshëm të Koresë së Veriut.
Marrëveshja është arritur në kohën kur shqetësimi i të dyja palëve rreth kërcënimit bërthamor nga ana e Koresë së Veriut është rritur.
Pheniani po zhvillon armë bërthamore taktike që mund të synojnë Korenë e Jugut, dhe rafinimin e armëve të saj me rreze të gjatë që mund të arrijnë në kontinentin amerikan.
ShBA-ja tashmë ka një traktat që e obligon ta mbrojë Korenë e Jugut dhe është zotuar më parë të përdorë armë bërthamore nëse është e nevojshme.
Por disa në Korenë e Jugut kanë filluar të dyshojnë në këtë angazhim dhe kërkojnë që vendi të ndjekë programin e tij bërthamor. / BBC


