Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se hetimet për kryeshefin e pezulluar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk duhet ndalur, por ka shtuar se duhet zbardhur edhe roli i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Selmanaj ka thënë se qasja e Qeverisë Kurti për KEK-un ka qenë e papranueshme nga fillimi.
“Qasja e Qeverisë Kurti ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj korporate, që me vendosjen e Nagip Krasniqit drejtor e më pas me përzgjedhjen e Bordit. LDK vazhdimisht ka shprehur shqetësimin për menaxhimin e krizës nga kjo korporatë. Presim që të mos ndalet hetimi deri në zbardhjen e rastit, përfshirë edhe rolin e Martin Berishajt”, ka thënë ai.
Ai e ka quajtur të papranueshëm sulmin e kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë. Kjo, sipas tij, është diskurs i turpshëm.


