Dy rivalët e përbetuar në basketbollin tonë, Trepça dhe Sigal Prishtina, do të përplasen sot në ndeshjen e katërt të ‘play-off-it’.
Kjo sfidë, e katërta e radhës në garat e ‘play-off-it’, e cila luhet në ‘Minatori’ pritet të sjellë ndeshje të zjarrtë.
Aktualisht serinë e fitoreve e udhëheqin kryeqytetasit (2-1). Nëse Sigal Prishtina e fiton ndeshje e sot në ‘Minatori’, atëherë kualifikohet në finale, ku do të ndeshet me Pejën e cila mbrëmë eliminoi Golden Eagle Yllin, 3-1 me ndeshje.
Nëse Trepça fiton, atëherë barazohet seria e ndeshjeve gjysmëfinale në 2-2 dhe dueli vendimtar do të luhet në mesjavë në Prishtinë.
Interesimi për sfidën mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës është tejet i madh. Klubi mitrovicas përmes një njoftimi, ka konfirmuar se tashmë janë shitur të gjithat biletat për duelin e sotëm që nis në orën 17:15.