Policia e Kosovës njofton se ka ndaluar H.S (17-vjeçar), nën dyshimin se po transportonte drunj ilegalisht.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve”, policia e stacionit në Shtërpcë, pas disa informacioneve që ka siguruar, mëngjesin e së dielës, në fshatin Brod ka ndaluar një automjet, që po e drejtonte i dyshuari dhe i cili transportonte drunj ilegalisht nga Parku Kombëtar Malet e Sharrit.
“Policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe ka konfiskuar automjetin për dokumentacion të parregullt dhe ndaj drejtuesit ka shqiptuar një gjobë pa patent shoferi dhe tjetrën pa regjistrim të automjetit, ndërsa ka njoftuar edhe zyrtarët nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar (DAPK) “Sharri” të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shqiptuar fletëparaqitje ndaj personit për transport ilegal dhe drunjët më pas i kanë konfiskuar”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se Policia Rajonale e Ferizajt po bën përpjekje të vazhdueshme në bashkëpunim me rojet e pyjeve në parandalim të prerjes, transportit dhe shitjes ilegale të drunjve.


