Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për arrestimin e drejtorit të Korporatës energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi. Ajo ka thënë se si Ministri nuk kanë asnjë informatë zyrtare për këtë rast.
“Në lidhje me rastin e bastisjes së djeshme ne KEK, ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare”, ka theksuar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se do të theksojë disa fakte për KEK-un.
Sipas Rizvanollit kriza energjetike është menaxhuar me efekte minimale të qytetarëve dhe se KEK-u ka luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizës.
“Që nga fillimi i mandatit të dytë ME-ja ka dorëzuar mbi 30 raste të ndryshme në prokurori dhe polici. Vetëm nga KEK-u janë dorëzuar mbi 20 lëndë … në këto 17 raste të dërguara nuk është ndërmarrë asnjë hap nga prokuroria. Uroj që efiçienca e Prokurorisë për hetimin e kryeshefit të KEK-ut të jetë e njëjtë edhe për rastet e tjera”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ministrja tutje foli për menaxhimin e krizës energjetike, derisa lavdëroj punën e KEK-ut.
“Kriza energjetike në Kosovë është menaxhuar me efekte minimale të konsumatorët kjo falë edhe angazhimit të punonjësve të KEK-ut , bordit me Skender Hazirin në krye dhe kryeshefit ekzekutiv Nagip Krasniqi.
KEK si ndërmarrje publike ka luajtur rol të rëndësishëm në menagjimin e krizës. KEK gjatë vitit 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97.6% duke prodhuar 5 mijë e 680 gigavat orë. Termocentrali Kosova A ka realizuar 96% të planit, kurse Kosova B ka realizuar 99% të planit” tha ministrja.


