Jetmir Morina 30-vjeçar të mërkurën e kaluar humbi jetën si pasojë e një aksidenti në autostradën A1 në Zvicër. Ai kishte ndaluar të ndihmonte në një aksident trafiku.
Morina u godit nga një veturë e cila e hodhi atë te një rrugë tjetër, ndërsa më pas u shkel nga një tjetër veturë.
Policia e kantonit të Zurichut ka arrestuar të hënën mbrëma një zviceran 81-vjeçar për rastin. Ai dyshohet se kishte drejtuar veturën që e shkeli kosovarin 30-vjeçar, dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes, raporton “Blick”.
Vetura e 81-vjeçarit u konfiskua për të shikuar për prova. Ende po hetohet se nga cili aksident Jetmiri mori lëndimet fatale.
Më herët Policia kishte kërkuar informata nga dëshmitarët.
Jetmir Morina kishte studiuar stomatologji, ndërsa para gjashtë vjetëve ishte vendosur në Zvicër te bashkëshortja.
“Për fat të keq ai nuk arriti të punonte si stomatolog në Zvicër. Ishte rrugës që pas disa vjetëve të ushtronte këtë profesion në Zvicër. Por, Zoti kishte plane tjera me të. Do të thotë shumë, që shkoi si njeri që po ndihmonte – dhe që Zoti donte ta merrte te vetja”, tha vëllai i Jetmirit, Besart Morina, për “Blick”.


