Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit, mbrëmë në Hajvali të Prishtinës.
Policia përmes raportit 24 orësh të saj ka njoftuar se deri te plagosja erdhi si pasojë e një përleshje që ka ndodhur mes dy familjeve.
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje mes dy familjeve, ditën e djeshme në Hajvali.
Personi që dyshohet se ka kryer plagosjen është lokalizuar dhe i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, ndërsa ai mbetet në spital nën kujdesin e policisë.
“Hajvali 26.03.2023 – 16:00-16:30. Është raportuar për një përleshje në mes të dy familjeve, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja dhe një fishek të pa shkrepur. Një i dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka kryer plagosjen, është lokalizuar. I njëjti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në spital pasi që ka pësuar lëndime. Me vendim të prokurorit i dyshuari mbetet i shtrirë në spital nën sigurimin e policisë”, thuhet sot në raport.
Tutje bëhet e ditur se revolja e cila dyshohet se është përdorur në rast, dhe një karikator pa fishek janë sekuestruar.
Ndërsa i dyshuari tjetër mashkull kosovar i cili ka mbetur i plagosur me armë zjarri është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt.
Kurse i dyshuari i tretë mashkull kosovar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti në fjalë Policia njofton se vazhdon të hetohet.


