Ndonëse ka filluar të rritet numri i qytetarëve të cilët raportojnë raste kur është shkelur e drejta e tyre për privatësi, ndërgjegjësimi i qytetarëve ende mbetet sfidë për Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe për këtë arsye drejtues të saj ftojnë qytetarët që të adresojnë shqetësimet e tyre lidhur me cenimin e privatësisë.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, shpjegon se nga viti në vit qytetarët janë më të ndërgjegjësuar për sa i përket mbrojtjes së privatësisë.
Ajo thotë se nuk ka më qytetarë të cilët hamendësojnë përmes ankesës nëse është një shkelje e të dhënave personale.
Qytetarët të cilët ankohen e dinë saktë që atyre u është bërë ndonjë shkelje e të dhënave personale.
“Numri i ankesave është duke u shtuar. Përderisa vitin e kaluar, për 12 muaj kemi pasur në total 145 ankesa, këtë vit për dy muaj i kemi 16 ankesa. Është një rritje graduale, nuk është një rritje e hovshme. Ne si agjenci i kemi orientuar politikat tona që të arrijmë ta bëjmë ndërgjegjësimin e qytetarëve, por nuk është aq e lehtë të ndryshojmë mendësinë e qytetarëve” , thotë Sogojeva.
Se është e vështirë të ndryshohet mendësia e qytetarëve e dëshmojnë edhe të intervistuarit e Radio Kosovës. Ata kanë identifikuar raste kur të dhënat e tyre janë ekspozuar për publikun por që nuk kanë bërë ankesë.
“Të gjitha faturat , (KEDS, Ujësjellësi, Mbeturinat) vijnë pa zarf. Mua më duket pak pa lidhje kjo sepse gjithkush mund t’ i shohë të dhënat tona personale, si adresën etj”.
“Po ma merr mendja qe shkelje e privatësisë është edhe kur kërkohet numri i telefonit me zë të lartë nga ndonjë punonjës administrativ”, thonë qytetarët.
Sogojeva thotë se asnjë qytetar nuk ka paraqitur ankesë lidhur me ekspozimin e faturave të shërbimeve komunale, në hyrjet banesore. Ajo thekson se kompanitë publike janë të vetëdijshme se kjo përbën shkelje.
“Ata (kompanitë publike) janë shumë të vetëdijshëm, por për ata është punë, është investim shtesë dhe ky është hezitimi më i madh qoftë i institucioneve publike qoftë private, sidomos ato privatet hezitojnë dhe tentojnë të qëndrojnë në këtë “statusquon” -që derisa të na vijë agjencia , ne po vazhdojmë qashtu. Unë në vazhdimësi atë që e promovoj prej së jam emëruar në këtë pozitë, është ta thërrasim ndërgjegjen e qytetarit. Vetëm qytetari mund të na ndihmojë neve që t’i kërkojmë llogari institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale” , tha ajo
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, thotë se “Kryesisht ankesat për nga natyra janë: “vëzhgim me kamerë” , “marketing i drejtpërdrejtë” , “publikim i të dhënave personale në media” , “publikim i fotografive pa pëlqim”, “përpunim i të dhënave pa bazë ligjore” .
Sogojeva thotë se në agjenci në vazhdimësi prodhojnë materiale promovuese, mbajnë punëtori dhe trajnime për zyrtarët institucionalë, por edhe takime regjionale me qytetarë nëpër komuna, ku është shtuar edhe kërkesa për këshillë dhënie së fundmi nga regjioni i Anamoravës.
Ndryshe gjatë vitit 2022, Agjencia ka shqiptuar tetë (8) gjoba. Gjobat të cilat parashihen me ligj për shkelje dhe keqpërdorim të të dhënave personale janë nga 20 mijë deri në 40 mijë euro apo 4% e qarkullimit vjetor të kompanisë , kurse gjoba më të ulëta nga 2 mijë deri në 4 mijë euro parashihen për shkelje të tjera.


