Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të zbatojë Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënies me Kosovën deri në “vijat e saja të kuqe”.
Në një adresim për publikun të dielën, Vuçiqi ka thënë se Marrëveshja është pozitive pasi “më nuk varemi nga vullneti i mirë i Prishtinës, të bëjë një ndryshim pozitiv, por edhe nga ajo që jemi të gatshëm të bëjmë”.
Ai tregon se ka disa arsye pse nuk nënshkroi Marrëveshjen e as aneksin e implementimit.
“Para së gjithash, sepse Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës nuk është. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën”, ka thënë Vuçiq. “Pas çdo samiti dhe takimi, unë flas pa mëdyshje se ne jemi kundër pranimit të tyre në OKB, prandaj nuk kam nënshkruar asgjë”.
Vuçiq ka thënë se situata është e vështirë dhe se bisedimet asnjëherë nuk janë të lehta.
“Do të jetë edhe më e vështirë për gjysmë viti”, ka thënë Vuçiq. “Në Konventë të Vjenës thuhet si më poshtë: ‘Problem shtesë është se neni 7 i Konventës së Vjenës përcakton se pëlqimi verbal i kreut të shtetit është detyrim. Sigurisht, gjithmonë më pak se një nënshkrim, por ai ka vlerë. Prandaj kam refuzuar të pranoj emra si ‘pranim’ apo ‘adoptim’ apo ‘njohje’”.
Vuçiq ka folur edhe për dakordimin për çështjen e të pagjeturve.
“Deri tash Prishtina e përdorte si presion për dëmshpërblime të luftës”, tha Vuçiq, që ka shtuar se “pas çdo gjëje fshihet një truk”. “Ne duam të bashkëpunojmë me shqiptarët, nuk kemi nevojë të ndërtojmë mure. Deri më tash është përpiluar lista e personave të zhdukur”.
Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është i rëndësishëm për Qeverinë e Serbisë dhe se duhet të bëhet sipas marrëveshjeve që ekzistojnë, ato të vitit 2013 dhe 2015.


