Detaje tronditëse dalin në dritë në lidhje me masakrën në Tiranë, ku Dan Hutra vrau motrën e ish-bashkëjetueses, dhe kunatën e saj dhe plagosi Elena Hysën dhe nënën e saj.
Ish-bashkëjetuesja e tij, Elena Hysa në një deklaratë nga shtrati i spitalit për News24, është shprehur se Hutra sapo kishte shkuar në banesën e saj kishte qëlluar motrën dhe kunatën, ndërsa atë e kishte goditur me thikë në faqe.
Ajo tha mes të tjerash se Hutra donte të qëllonte dhe djalin e tyre.
“Ka qenë aty…e kam parë që ka shkrepur armën drejt meje, pastaj në ato momente ka dalë mami para meje, të më mbronte. E kam shtyrë dhe i dola para mamit. Mbaj mend që na ka sharë, llafe të ndryshme dhe na ka gjuajtur me armë. Donte të qëllonte djalin…e kisha në krah djalin. E kam kapur prej krahu dhe e çova nga dhoma tjetër. Ka ikur me vrap. Më qëlloi me thikë sapo ka hyrë brenda, më qëlloi në faqe. ‘Do ju vras të gjithë’ tha ai.”, ka deklaruar Elena.


