Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti serb Aleksander Vuçiq po jep sinjale që nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë, dhe se Serbia asnjë marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel nuk janë duke e zbatuar.
Në një deklarim për media, pas diskutimit “Barazia, Barabarësia dhe Drejtësia” në kuadër të Javës së Gruas të martën, Osmani ka thënë se nuk pret që Serbia të ndryshojë në dialogun me Kosovën.
“Ai e jep sinjalin qe nuk kanë ndryshuar, që nuk e kanë ndërmende të ndryshojnë, pra kontributi i tyre në proces është vetëm obstruksioni dhe kjo nuk është asgjë e re. Kjo ka ngjarë në këto 13 vite të dialogut. Deri më tani gjysma e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nuk janë duke u zbatuar nga ana e Serbisë, dhe kjo tregon që Interesimi i tyre asnjëherë nuk është që të kemi një proces konstruktiv, i cili i kontribuoni paqes afatgjate ”, ka thanë presidentja Osmani.
Ajo tha se shpresa e saj është që komuniteti ndërkombëtarë do të fokusohet në një presion në raport me Serbinë, në mënyrë që të bindet edhe Serbia që takimi i 18 marsit në Ohër të zgjidhen shumë çështje që hapin rrugën drejt njohjes reciproke.
Osmani tha se modeli i cili është prezantuar, 15 nenet nuk kanë të bëjnë më asociacionin, ato sipas Presidentes janë të drejtash për pakicat.
Ajo ka shtuar modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, është më i mirë se të gjitha modelet që janë përmendur nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Sa i përket modeleve evropiane që janë prezantuar, të 15-at s’kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele të drejtash për pakicat. Në disa jepen më shumë të drejta, e në disa më pak sesa që tashmë u jep Kosova komuniteteve joshumicë. I kemi analizuar të gjitha dhe ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por do të thosha që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është ai që ka aktualisht Kosova. Jemi për të diskutuar elemente të tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet e multietniciteti të jetë vlera jonë kushtetuese”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova “refuzon diçka që rrezikon mënyrën e funksionimit të sistemit tonë demokratik”.


