I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të takohet të hënën në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Takimi do të nisë në orën 14:30, e temë kryesore do të jetë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet të nënshkruhet mes palëve më 18 mars, raporton mediumi serb Danas.
Takimi i Lajçakut me presidentin e Serbisë ndodh disa ditë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak ka deklaruar në Kosovë se palët duhet të pajtohen edhe për aneksin e marrëveshjes, që sipas tij, çon drejt normalizimit të marrëdhënieve.
I dërguari i BE-së do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën (15 mars).
Gjatë javës së kaluar përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.
Pas takimit vetë Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
Ai shtoi se pritshmëritë e tij në takim me të parin e ekzekutivit janë përmbushur sa i përket asaj se si e sheh Kosova zbatimin e planit të Propozimit evropian.
Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë e Serbi, që nga takimi i 27 shkurt në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Pas atij takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar.
E presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati deklaruar se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin. Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj.
Takimi i radhës në mes të Kurtit e Vuçiqit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.


