Vetëm gjatë vitit të kaluar, 106 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, përderisa mbi 14 mijë të tjerë kanë marrë lëndime trupore. Ndonëse gjatë javës së kaluar humbën jetën 7 qytetarë të Kosovës në aksidente, të dhënat e policisë rrugore flasin se këtë vit (janar-shkurt) ka më pak aksidente fatale se vitin e kaluar në këtë periudhë. Në dy muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur 13 aksidente fatale me 18 të vdekur përderisa në periudhën e njëjtë të vitit 2022, kanë ndodhur 17 aksidente fatale me 21 të vdekur.
Këtë e ka bërë të ditur shef i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, ku tha se vetaksidentet po shënojnë rritje çdo vit e më shumë.
“Edhe pse javën e fundit kishim një numër të madh të aksidenteve, sidomos atyre me fatalitet, por nëse i referohemi të dhënave të këtij viti për muajin janar dhe shkurt, krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar, numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie. Po ashtu, numri i aksidenteve më lëndime ka pësuar rënie. Çka është më rendësi që numri angazhimeve, prezencës policore qoftë më projekte apo mesazhe, por edhe patrullimit në lëvizje ka qenë dukshëm më i madh se sa muajt paraprakë”, ka thënë Rexhepi.
Por, pse gjithë këto aksidente gjatë javëve të fundit, Rexhepi ka treguar se problemi më i madh qëndron tek faktori njeri por edhe tek infrastruktura në Kosovë.
Sipas tij, aksidentet ndodhin më së shumti në rrugët nacionale, ku edhe mundësohet ngasja e veturës më shpejtësi më të madhe.
“Një përqindje shumë më të madhe, atë mbi 80% e merr faktori njeri, qoftë cilësitë e shoferit, cilësitë e pjesëmarrësit në trafikun rrugor, qoftë si pasagjer apo edhe këmbësorë, por edhe drejtues i mjeteve tjera. Pjesa tjetër që është më rendësi është infrastruktura rrugore dhe elementet e saj përcjellëse”, ka thënë Rexhepi.
Shefi i Policisë së Trafikut gjithashtu tha se numri i gjobave ka pësuar rritje prej 33% gjatë vitit 2022.
“Policia e Kosovës bën edhe pjesën e zbatimit të ligjit, sidomos të rregullave të trafikut rrugor dhe për këtë i referohemi më të dhënat që i ka identifikuar këto kundërvajtje dhe mund të themi që viti 2022 ka shënuar rritje të gjobave diku me 33% krahasuar me vitin paraprak”, ka thënë ai.
Para pak muajve Policia e Trafikut ka prezantuar disa vetura digjitale, por sa janë treguar ato efikase Rexhepi ka thënë që janë në fazat e para të këtij projekti, por thotë se gjatë vitit të ardhshëm të pajisjen më më shumë pajisje digjitale.
“Ne jemi në fazat e para të digjitalizimit të pajisjeve, d.m.th. jemi vetëm në fillim të këtij projekti. Normal çdo pajisje e re e cila të mundëson identifikimin e kundërvajtjes është lehtësim për policinë, meqenëse të gjitha kundërvajtjet mund t’i sheh të cilat i ka shkel pak sekonda më herët”, ka pohuar Rexhepi.
Shef i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në Policinë e Kosovës ka thënë se një kërkesë e vazhdueshme e Policisë ka qenë edhe monitorimi i komunikacioni përmes kamerave (radar statik). Sipas tij, vendosja e kamerave do të duhej të fillonte prej rrugëve nacionale, aty ku ka më shumë kundërvajtje./IndeksOnline/


