Ka ndërruar jetë zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Hekrem Sadiku, i cili mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI).
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë vetë ministri Xhelal Sveçla, i cili u shprehu ngushëllime familjes Sadiku, miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij në AShI.
“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta kolegut tonë të respektuar, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AShI), Hekrem Sadiku. Z. Sadiku me punën dhe profesionalizmin tij ka lënë gjurmë në institucionin që ka drejtuar duke dhënë kështu një kontribut të madh dhe të shumëanshëm për shoqërinë tonë. Në këto momente të vështira shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Sadiku, miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij në AShI”, ka shkruar ministri Sveçla.
Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) funksionon në kuandër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe mes tjerash ka përgjegjësi që të propozojë dhe koordinojë të gjitha politikat që ndërlidhen me teknologjinë e informacionit dhe të komunikimit në institucionet e Republikës së Kosovës.


