Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Në një video të publikuar në rrjete sociale shihet një grup vajzash të cilat dhunojnë në mënyrë brutale një bashkëmoshatare të tyren.
Nga pamjet dëgjohen vajzat të cilat ofendojnë me një fjalor banal dhe qëllojnë në fytyrë dhe trup shoqen e tyre.
Video është publikuar në rrjetin social Instagram nga vajza e ministrit të Mbrojtjes Aleksa Peleshi, e cila dënon dhunën dhe kërkon të mbështeten personat e prekur nga bullizmi.
“Siç ju bëra me dije, kjo ngjarje ka ndodhur dje në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”. Nga një grup minorenësh. Dhuna dhe bullizmi sot janë të pranishme kudo, nga shkollat e vendet e punës deri te mediat sociale dhe televizioni. Prekin çdo moshë, çdo gjini. Është e rëndësishme të kuptohet se dhuna dhe bullizmi nuk janë kurrë të pranueshme. Ne si shoqëri kemi dështuar t’ua transmetojmë këtë mësim bazë fëmijëve tanë. Kemi dështuar në krijimin e një kulturë respekti dhe mirësie, ku të gjithë të ndihen të sigurt dhe të mbështetur. Kaq e vështirë qenka vallë t’i trajtojmë të tjerët me ndjeshmëri, dhembshuri dhe mirëkuptim, dhe të ngrihemi kundër dhunës dhe bullizmit sa herë që e shohim të ndodhë?, shkroi Peleshi.


