Krerët shtetërorë të premten kanë shprehur përkrahje për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, në një-vjetorin kur trupat ruse nisën pushtimin.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë dhënë falënderime për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë me ç’rast kanë ritheksuar mbështetjen e shtetit të Kosovës për Ukrainën.
Një fjalë rasti mbajti edhe gazetarja ukrainase, Ludmila Makey, e cila tha se qytetarët e Kosovës e kuptojnë më së miri luftën në Ukrainë sepse vetë i mbijetuan luftës. Ajo ka shprehur falënderime për strehimin dhe mbështetjen që po i jep Kosova Ukrainës.
“Pushtuesit planifikonin të merrnin Kievin brenda 3 ditësh, por ata hasën në rezistencë të ukrainasve. Kjo rezistencë zgjati 365 ditë. Dua t’ju tregoj shumë për heroizmin e ushtarëve tanë, për mijëra civilë të vrarë për qytetet e shkatërruara.. dua të them faleminderit. Dua t’ju them dhe falënderoj në emër të gazetarëve për shkak se Kosova na strehoi në një kohë shumë të vështirë. Prishtina u bë shtëpia jonë e dytë. Këtu ndihemi mirë dhe të qetë çdo ditë e ndjejmë mbështetjen e politikaneve dhe kolegëve dhe qytetarëve që thjeshtë që na afrohen dhe na pyesin se si i kem familjet. Ju na kuptoni më së miri sepse vet qytetarët i mbijetuan luftës”.