Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, të premten kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Siç ka njoftuar LDK-ja, Berishaj ka gënjyer gjatë dëshmisë në komisionin hetimor parlamentar më 17 nëntor të vitit 2022.
“Publikimi në medie i transaksioneve financiare të kompanisë së Ambasadorit Berishaj, edhe gjatë viteve 2020-2021 dhe 2022, nxjerrin përfundimin se ai ka konsumuar vepër penale sipas nenit 383 “Deklarimi i rremë nën betim” dhe nenit 384 “Deklarimi i rremë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur ka dëshmuar pranë komisionit hetimor parlamentar me 17 nëntor 2022, duke thënë për kompaninë e tij “MB Consulting” “se është firmë që e ka formuar në vitin 2017 dhe se e njëjta nuk funksionon nga viti 2020”. Ju kujtojmë se konsumimi i kësaj vepre penale parasheh dënimin deri në 5 vite burgim”, thuhej në njoftimin e LDK-së.
Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni.
Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.


