Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, edhe një herë ka mohuar akuzat e drejtuara ndaj tij, duke pretenduar se të gjithë janë spekulimet me prapavijë politike.
Në prag të ceremonisë hapëse të Forumit Ekonomik Kosovë – Kroaci të enjten në Prishtinë, Berishaj para mediave ka deklaruar se i hedh poshtë të gjitha, siç i quan ai, spekulime që kanë qëllim ta denigrojnë personalitetin e tij dhe imazhin e Kosovës.
“Jam shumë i gëzuar dhe i respektuar që e prezantojë Qeverinë e Kosovës si ambasador, shtetin e Kosovës në shtetin e Kroacisë. Këto çështje që po pyesni dhe këto spekulime mediale, janë spekulime që kanë një prapavijë politike. Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rast të flasim më tepër për aktivitetet të cilat bëhen, siç është ky Forum që bëhet sot. Dua të them që këto spekulime që janë bërë, i hedhi poshtë. Ato kanë vetëm një qëllim, të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës dhe të bëhen çështje për t’i futur në marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Kroacinë apo Slloveninë. E fusin njerëzit të cilët kanë dëshirë të bëjnë emër, në emër të tjerët kujt. Këta shpifësa do të dalin para gjyqit”, ka thënë Berishaj, duke përsëritur se ky nuk është skandal, por spekulim.
Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.
.


