Në takimin e zhvilluar në Bruksel, diplomatët e lartë të Bashkimit Evropian s’u dakorduan të enjten për raundin e dhjetë të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të ndalonte shitjen e teknologjisë kritike ushtarake.
TheGuardian raportoi se ambasadorët do t’i rifillojnë bisedimet të premten, në 1-vjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kishte thënë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se BE-ja do t’i zbatonte masat e reja sanksionuese deri më 24 shkurt.
Bisedimet në BE kanë ngecur në çështjen e tregtisë së gomës, njoftoi mediumi britanik, duke bërë të ditur se pakoja e re sanksionuese do të ndalonte eksportin e komponentëve për drone dhe helikopterë, si dhe pjesë këmbimi për automjete.
Kërkesa për konsensus brenda Bashkimit Evropian erdhi pasi zyrtarët britanikë, të ShBA-së dhe të BE-së u takuan për t’u dakorduar për sanksionet.
Kur nisi agresioni rus, më 24 shkurt 2022, eksportet nga Evropa dhe ShBA-ja drejt Rusisë ranë ndjeshëm, por një pjesë e tregut është ridrejtuar në ish-shtetet sovjetike në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.


