Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Rusia po përpiqet t’i destabilizojë vendet evropiane, për ta hequr vëmendjen e Perëndimit nga Ukrainë.
Në një intervistë për SkyNews, Osmani tha se Rusia po dëshiron të krijojë konflikte të reja në Evropë, “pavarësisht nëse flitet për Moldavinë, Gjeorgjinë apo Ballkanin Perëndimor”.
“Ata (rusët) sjellin forca paraushtarake që janë të veshura me civilë brenda territorit tonë nëpërmjet rrugëve ilegale. Pastaj dërgojnë armë dhe dërgojnë edhe uniforma jeshile pa shenja, që të mos duket si sulm ushtarak. Por, në fakt, ata përgatisin shumë sulme hibride, që është përzierje e asaj që bëjnë këto forca paraushtarake në veri të vendit”, u shpreh Osmani.
Më 24 shkurt bëhet një vit qëkur nisi agresioni rus në Ukrainë. Autoritetet kosovare kanë dënuar sulmin ruse nëpërmjet sanksioneve në fusha të ndryshme.
Ndërsa, në tensionet e krijuara në veri nga serbët gjatë vitit të kaluar, kishte dyshime se ishin përfshirë edhe anëtarë të grupit rus “Wagner”.


