Liderët shtetëror të Kosovës, por edhe ata nga subjektet opozitare kanë thënë sot në seancën solemne në Kuvend se ka Kosova shënon datën më të rëndësishme të saj dhe se nuk do të harrohen kurrë emrat që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë, kreu aktual i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se nuk kanë asnjë mëdyshje se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarët e tyre, do të kthehen si fitimtar nga Haga.
Krasniqi ka thënë se ata do të duhej sot të ishin në sallën e Kuvendit, duke thënë se historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e tyre.
“Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e bashkëluftëtarë të tjerë sot janë larg nesh duke zhvilluar betejën e fundit për të vërtetën e luftës sonë për liri. Do të duhej të ishin në këtë sallë bashkë me ne, në një rast si ky që përjeton e përkujton një ngjarje kaq madhështore protagonistë të së cilës ishin vetë ata. E ndonëse ata nuk janë me ne fizikisht vazhdojnë të mbesin në zemrat e qytetarëve të Kosovës. Nuk kemi as mëdyshje që do të rikthehen si fitimtar ashtu siç erdhën dikur çlirimtar. Historia e Kosovës moderne është e lidhur me emrat e tyre dhe veçmas me ish-kryeministrin dhe ish-presidentin Hashim Thaçi pa emrin e të cilit 17 shkurti 2008 si datë dhe shpallja e Pavarësisë si ngjarje nuk mund të kuptohen as si të plota e as si të sakta. 17 shkurti ishte në moment historik për popullin tonë, një moment kur populli e mori në dorë fatin e tij”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka përmendur edhe Shaban Polluzhën, Adem Demaçin e Ibrahim Rugovën duke thënë se ata janë shenja të spikatura të rrugës së Kosovës për liri e demokraci.
Duke përmendur sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes së tij, Krasniqi ka thënë se UÇK-ja nuk ishte vetëm ushtri por edhe vetëdije.
“Shaban Polluzha, Adem Demaçi e Ibrahim Rugova janë shenja të spikatura të kësaj rruge të qartë, liridasëshe, demokratike e perëndimore. Por kjo rrugë ka pasur edhe një epokë kulmore në të cilët kanë rënë më meritorët e lirisë dhe shtetësisë sonë. Djem e vajza të këtij populli që u vunë në mbrojtje të atdheut nën radhët e UÇK-së e cila ishte jo vetëm ushtri por edhe vetëdije e cila si vetëdije bashkonte atë çfarë dukej e përçarë duke i dhënë kuptim e guxim rezistencës sonë kolektive. Të paharruar janë e do të mbesin dëshmorët me heronjtë në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari”, është shprehur Krasniqi.
Abdixhiku: E ardhmja e Kosovës e padefinaur, aty kemi rol ne
Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën solemne të Kuvendit, ka thënë se Kosova sot shënon datën më të rëndësishme të saj. Në këtë ditë ai ka thënë se ardhmja e Kosovës sot është e padefinuar dhe e pashkruar.
“Aty sot kemi rol ne”, ka theksuar Abdixhiku. Ai ka thënë se rrugëtimin e gjatë, të guximshëm e të lavdishëm të Kosovës deri në pavarësi do të marrë guximin ta kujtojë, “nëpërmjet një udhëkryqi të vetëm”. “Atë që në anën e majtë kishte kodrën e lagjes ‘Tasligje’ e në anën e djathtë atë të ‘Velanisë’, për të marr emrin si ‘udhëkryqi i Velanisë’ … rrugëtimi ditor i Ibrahim Rugovës, nëpër ‘udhëkryqin e Velanisë’ ishte rrugëtim i bërë në emër të secilit për një të ardhme që do të kapërcente secilin, çdo rrugë e tij … ishe një hap drejt rrugës tonë për të qenë të barabartë mes popujve të barabartë”, ka theksuar Abdixhiku.
Ai ka thënë se në këtë udhëkryq është marr edhe lajmi për vrasjen e 57 anëtareve të familjes Jashari në Drenicë.
“Përtej dhimbjes së papërshkrueshme, mllefit të pafund, në qëndresën e komandant Adem Jasharit dhe sakrificën e udhëtimit të tij dhe të familjes së tij, kuptuam dhe fatin tonë që do të shtrohej me sakrifica, në altarin e lirisë të djemve dhe vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Tahiri: Është detyra jonë ta bëjmë Kosovën pjesë të familjes evropiane
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se nuk do të harrohen kurrë emrat që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Nuk mundemi pa e kujtuar Prekazin, Gllogjanin, Llaushën, Llapashticën, Dushkajën, Kosharen e shumë beteja të tjera. Mijëra djem e vajza që u bënë arterie për furnizimin për luftën dhe mbrojtjen e lirisë. Legjendarët tanë, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi Lladrovcin, Agim Ramadanin, Ilir Konushevcin e shumë e shumë të tjerë që sot na bëjnë krenarë. Kujtojmë lëvizjet popullore, studentore, partiake, civile, qytetare. Kujtojmë me respekt presidentin Ibrahim Rugova”.
Tahiri ka shtuar se duhet të punohet deri të integrimi i Kosovës në strukturat evropiane.
“E dinë të gjithë që Republika e Kosovës , pavarësia, është e pakthyeshme dhe është detyrë e jonë që Kosovën ta bëjmë të përfunduar, ta bëjmë pjesë të familjes evropiane, NATO-s, BE-së dhe OKB-së”.


