Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e ti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës që është mbajtur me rastin e 17 Shkurtit, ka theksuar se kjo ditë është pika më e lartë e përpjekjeve të Kosovës për shtetësi.
Ai ka thënë se Kosova asnjëherë s’do ta harrojë gjenocidin e Serbisë.
“Kurrë nuk do ta harrojmë gjenocidin të cilin e bëri Serbia, mbi qytetarët tanë, mbi fëmijët, gratë e pleqtë, mbi popullin tonë”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka thënë se Kosova është shtet i ri por rrënjët i ka të moçme. “Këto rrënjë na mbajnë të lidhur e të bashkuar fort, kështu ecëm përgjatë historisë, e cila për popullin tonë ishte e mbushur me plot rreziqe, kthesa dhe udhëkryqe, në e dimë si rrallëkush çka është vuajtja por edhe sakrifica, trungu i lirisë u ujit me gjakun e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila zhvilloi luftë të drejtë dhe luftë mbrojtëse, që ishe lufta e domosdoshme e popullit tonë që u kurorëzua me Pavarësinë tonë”, është shprehur Konjufca.
Ai ka thënë se në këtë ditë përkulet para dëshmorëve e martirëve.
“Së pari u përkulemi atyre që dhanë më së shumti, dëshmorëve tanë të pavdekshëm që nuk e kursyen as jetën e tyre për lirinë e popullit tonë, i kujtojmë e i nderojmë, në këtë ditë të rëndësishme, martirët tanë të ndritur që u flijuan ashtu që ne të tjerët të mund të jetojmë, nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë e burrat që u dhunuan e u torturuan, nuk i harrojmë e i falënderojmë të gjithë së bashku ata që mbajtën me mijëra vjet burgje ashtu që fëmijët tanë të rritjen të lirë në tokën e atdheut tonë të çmuar, por mbi të gjitha i përkulemi popullit tonë për qëndresën e tij shekullore”, ka theksuar Konjufca duke shprehur mirënjohje edhe për miqtë ndërkombëtarë, pa ndihmën e të cilëve, sipas tij, Kosova nuk do të ishte këtu ku është.


