Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimin e Vetëvendosjes për ta zëvendësuar deputetin Haki Abazi si kryetar të Komisionit Parlamentar për punë të jashtme dhe Komisioni për Stabilizim Asociim.
Nga 62 deputetët e pranishëm, 53 deputetë votuan pro ndryshimit, ndërsa 9 abstenuan dhe nuk pati asnjë votë kundër.
Si rezultat i votimit, Haki Abazi, është shkarkuar nga të qenit Kryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, për t’u zëvendësuar nga deputetja Arbëreshë Kryeziu.
Teksa në Komisionin për Stabilizim Asociim, Haki Abazi është zëvendësuar me deputetin Dimal Basha.
Votimi për zëvendësimin e tij u bë në ditën kur Abazi doli me akuza të rënda për partinë e tij për rastin Dehari e “ngufatje të zërit të deputetëve”.
Vetë Abazi e paralajmëroi iniciativën për shkarkimin e tij një ditë më parë dhe në konferencën e së enjtes.
Abazi ka thënë se shkarkimi i tij bëhet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti për shkak të shfaqjes së pakënaqësive.


