Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka premtuar një varg ndryshimesh në sektorin e shëndetësisë, të cila sipas tij do ta reformojnë në thelb sistemin shëndetësor në vend, duke filluar me Ligjin për Shëndetësi së bashku me atë për sigurime shëndetësore.
E gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi të martën, Vitia duke u përgjigjur në çështjet e ngritura nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova po i vuan një pjesë të madhe të pasojave të 20 viteve dhe jo të dy viteve, në sektorin e shëndetësisë.
Vitia ka thënë se po të kishte më herët specializime për anesteziologë, Kosova nuk do të kishte probleme tani me mungesë të tyre.
“Mendoj se këtu duhet të fillojë llogaridhënia, që ministri të raportojë para juve. Po kanë qenë dy vite të vështira. Vite pandemie që në një pjesë jeni marrë edhe ju. Edhe shumë vende te tjera më shëndetësi të zhvilluar kanë kaluar në kolaps shëndetësor. Ne sot po i vuajmë një pjesë të madhe pasojat e 20 viteve jo dy viteve. Sepse për shembull po të kishim më herët specializime për anesteziologë nuk do të kishim tani këto probleme qe i kemi me mungesë të tyre”, ka thënë Vitia.
Ai ka thënë se kanë filluar procedurat për ndërtimin e spitalit.
Vitia ka folur edhe për ikjen e mjekëve duke thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.
“Jemi duke punuar në dy drejtime. E para qe t’i bindim që të rrinë dhe e dyta që te mos i kenë problemet e njëjta siç i kanë pasur”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, e ka pyetur Vitinë Zemaj nëse kryeministri, Albin Kurti ia ka bartur kompetencat që i mori nga ministri paraprak lidhur me komisionin ekzekutiv për shëndetësi.
Zemaj, ka kritikuar ministrin, Arben Vitia, duke i thënë se po flet për reforma në shëndetësi, dy vjet pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet.
“Jemi duke folur dy vite pas ardhjes se Qeverisë në pushtet. Po të ishte në fillim do të kishim një lloj shprese se do të kishte ndryshime në shëndetësi bazuar në ato që prezantuat. Ish-ministri u largua dhe tha se Qeveria Kurti ka lënë një mjedis toksik në Ministrinë e Shëndetësisë. Tashme jeni rikthyer ju si një ministër i tretë. Plus pjesa e ushtrimit të detyrës suaj në një institucion privat nuk ka lënë një shije të mirë. Këto janë të gjitha ato të meta të cilat janë prodhuar gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Zemaj.


