Mëngjesin e sotëm, në Kosovë, ka mbërritur gazetarja e pestë afgane, Nadia Gulabzada, ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Sipas njoftimit, Gulabzada u mirëprit në aeroport nga bashkëkombësja e saj Amina Omid, tanimë e strehuar në Prishtinë prej një jave, kryetari i Bordit të AGK-së, përfaqësuesi i MPB-së dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
“Kolegët afganë janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit ‘Journalists in Residence – Kosovo’, inicuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij programi, përveç strehimit gazetarëve afganë u sigurohet pagë mujore, shërbime shëndetësore, si dhe biletë kthimi kur rrethanat do të krijohen që të njëjtit të kthehen në shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftim.

Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.
Qeveria kosovare tha se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë, derisa të krijohen kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.
Përzgjedhja e gazetarëve që strehohen në Kosovë bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, Kosova ka strehuar disa gazetarë ukrainas, dhe u ka ofruar kushte të njëjta, sikurse atyre afganë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Pasi në gusht të vitit 2021, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.
Kosova ka strehuar përkohësisht 1.893 refugjatë afganë dhe më pas ata janë dërguar në SHBA dhe në shtete të tjera.


