Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi sot kanë vizituar qytetin e Skenderajt, ku janë pritur nga kryetari i Komunës, Fadil Nura
“Jemi vënë në shërbim të plotë të qytetarëve të Skenderajt me të gjitha kapacitetet tona që kemi në dispozicion. Ekipet tona gjenden në terren që nga dita e djeshme, dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim deri në kalimin e kësaj situate jo të lehtë. “, ka shkruar Mehaj në Facebook, përcjell KosovaNews.
Tutje Mehaj ka deklaruar se autoriteteve lokale janë duke u ofruar mbështetje në zhbllokimin e rrugëve, vendosjen e urave, evakuimin e banorëve, mbështetje me ushqim dhe barëra.
Ai ka deklaruar se në terren janë takuar edhe me vullnetarë që kanë ndihmuar banorët për tejkalim e situatës, siç janë vullnetarët nga Extreme off road Drenica. “
“Në përballimin e kësaj situate jemi të gjithë bashkë, dhe bashkë do t’ia dalim.”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Nga ana tjetër, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka deklaruar se “Sot situata është më e qetë dhe e menaxhueshme por dëmet janë të mëdha”
Sipas tij më e mira në këtë situatë është që nuk ka të lënduar apo të vdekur.
Ministri Krasniqi ka shtuar se shumë komuna janë te përfshira nga vërshimet, por Skenderaj dhe Mitrovica janë më shumë të prekura.
“Fokusi jonë kryesor është që të jemi afër qytetarëve dhe t’i ndihmojmë me gjërat elementare. Nevojat janë në intervenim të shpejtë, kështu që niveli qendror me të gjitha strukturat e saj është në dispozicion të jetë afër qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ministri Krasniqi ka shtuar se nuk posedon shifra se sa qytetarë kane pasur nevojë të evakohen.
“As në komuna nuk është e menaxhueshme shifra, për shkak se shumë qytetarë mund të largohen në mënyrë autonome”, ka theksuar ai.
Ministri i MAPL-së ka potencuar se janë në koordinim me të gjitha strukturat e vendit për t’i ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet.