Mediat ndërkombëtare raportojnë se Izraeli po zhvillon bisedime për të deportuar palestinezët nga Rripi i Gazës në Sudanin e Jugut, rreth 3 mijë kilometra larg vendlindjes së tyre, përcjell KosovaNews.
Associated Press ka konfirmuar se disa takime mbi këtë çështje janë mbajtur, megjithëse autoritetet e Sudanit të Jugut e kanë mohuar një gjë të tillë.
Joe Szlavik, themelues i një firme lobimi në SHBA që punon me Sudanin e Jugut, ka deklaruar se është informuar nga zyrtarë të këtij vendi për bisedimet.
Sipas tij, një delegacion izraelit planifikon të vizitojë Sudanin e Jugut për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së kampeve për palestinezët e zhvendosur, ndërsa Izraeli mund të mbulojë shpenzimet e këtyre kampeve.
Edmund Yakani, drejtues i një organizate joqeveritare në Sudan të Jugut, gjithashtu ka konfirmuar se ka diskutuar këtë çështje me zyrtarë vendas. Katër burime të tjera të njohura me zhvillimet kanë pranuar, në mënyrë anonime, se bisedimet janë duke u zhvilluar.


