Mospërfshirja e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 për qind ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik. Madje kjo po konsiderohet nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) se është diskriminim flagrant dhe shkelje e të drejtave të njeriut, raporton KosovaPress.
Përveç kësaj, përjashtimi i këtyre katër komunave nga rritja e çmimit të rrymës po cilësohet edhe si pabarazi sociale dhe ekonomike në vend.
Ndërkaq, më 2 maj grupi “Asnjë Cent Më Shumë” ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke kërkuar anulimin e vendimit për rritjen tarifave të energjisë.
Avokati i angazhuar në këtë çështje, Ardian Bajraktari thotë se në padi është përfshirë edhe përjashtim i katër komunave veriore nga tarifat e reja me rritje prej 16.1 për qind.
Sipas tij, mospërfshirja e komunave veriore në vendimin e ri të ZRRE-së për rritje të tarifave, është diskriminuese.
Në një prononcim për KosovaPress, Bajraktari shprehet se pas dorëzimit të padisë, pret që gjykata ta shqyrtojë çështjen mbi bazën e provave të ofruara, duke anuluar vendimin e ZRRE-së.
KosovaPress raportoi ditë më parë se tarifa e reja nuk zbatohen në atë pjesë të territorit, për shkak se Elektrosever operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme, duke iu referuar një përgjigje të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Pas këtij lajmi të publikuar në KosovaPress dhe reagimeve të shumta në opinion, ZRRE ndërroi qëndrim, duke thënë se tarifat e reja do të vlejnë për gjithë territorin e Kosovës.
Por, menjëherë reagoi edhe kompania Elektrosever e cila operon në veri të Kosovës, e cila tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind nga 1 maji nuk vlen për katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.
Pas kësaj, sërish ZRRE i është përgjigjur KosovaPress-it se “Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”.
Lidhur me këtë, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala thotë për KosovaPress se ZRRE-ja nuk mund të krijojë çmime në baza etnike, sepse është diskriminim flagrant.
Ai potencon se ky vendim nuk është i drejtë dhe se sipas tij ZRrE-ja po i mashtron qytetarët.
Në anën tjetër, ZRRE-ja tregon se Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal).
Në përgjigjen e ZRRE-së potencohet se tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së.
“Sa i përket konsumatorëve në katër komunat veriore (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe pjesë të Mitrovicës Veriore), ata furnizohen nga kompania “Elektrosever”. Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE-ja, por ndryshe nga KESCO, nuk ka statusin e furnizuesit me shërbim publik (universal). Për këtë arsye, Elektrosever ka përgjegjësi që të paguajë tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat përcaktohen nga vendimi i Bordit të ZRRE-së. Megjithatë, tarifat përfundimtare që Elektrosever i aplikon konsumatorëve të saj në veri janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe jo të ZRRE-së”, thonë nga ZRrE-ja.
Tutje, ZRrE-ja thotë se vendimi i 16 prillit ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës.
“Vendimi i 16 prillit i ZRRE-së ka ndikim ndaj Elektrosever-it vetëm në aspektin e tarifave për shfrytëzimin e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, ndërsa nuk përcakton tarifat finale që paguajnë konsumatorët serbë në veri të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë thotë se vendimi i 16 prillit që tarifat e energjisë elektrike të rriten për 16.1 për qind, përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO, në territorin e Kosovës.
“Vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i datës 16 prill 2025, që parasheh rritjen e tarifave të energjisë elektrike, zbatohet për furnizuesin me shërbim universal në Kosovë, i cili është KESCO. Ky vendim përcakton tarifat për konsumatorët që furnizohen nga KESCO, në territorin e Kosovës”, thuhet aty,
Ndërkaq, Institucioni Avokatit të Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) pezullimin e vendimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.
Po ashtu Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë” të premten, ka dorëzuar zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në lidhje me vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
ZRRE më 16 prill ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës nga data 1 maj, e cila ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha dhe ka nxitur edhe një valë të re të inflacionit, pra shtrenjtimin e disa produkteve tjera esenciale.