Grupi qytetar “Asnjë Cent Më Shumë”, ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Padia lidhet me vendimin e ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1 për qind, të cilin vendim grupi e cilëson si të padrejtë dhe në dëm të qytetarëve.
Pas dorëzimit të padisë, avokati Ardian Bajraktari deklaroi se vendimi për shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike është marrë duke u bazuar në shkelje dhe është diskriminues.
“Ne sapo dorëzuam padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kërkojmë anulimin e vendimit për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. Vendimi është marrë me shkelje dhe është i natyrës diskriminuese. Jemi përpjekur të dëshmojmë që vendimi duhet të kthehet në piken zero pasi ka pasoja zingjirore dhe të pariparueshme. Ne sot do t’i drejtohemi edhe avokatit të popullit që të involvohet në këtë çështje”, ka deklaruar ai.
Kurse, Ali Sefaj nga grupi “Asnjë Cent ma shumë” tha se besojnë që gjykata do të vendos konform kërkesave të tyre.
“Gjykata është institucioni ku do ta atakojmë këtë vendim. Ne besojmë që do të vendos konform kërkesave tona”, theksoi ai.
Qytetarët e Kosovës do të paguajnë 16.1% më shumë për energjinë elektrike nga data 1 maj, pasi ZRRE vendosi ngritjen më 16 prill, pavarësisht reagimeve dhe protestave të qytetarëve.
Për këtë vendim ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, bizneset dhe subjektet politike, madje pati edhe protesta.