Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të donte të shkaktonte trazira në veri të Kosovës, por nuk mund ta bëjë pasi i ka shpenzuar të gjitha kreditë e tij pas inkursionit të grupeve paraushtarake serbe në Banjska, në vitin 2023.
Kështu ka deklaruar eurodeputeti dhe raportuesi kroat për Serbinë Tonino Picula në një intervistë për Jutarnji list.
Ai tha se strategjia aktuale e Vuçiq synon destabilizimin, por pa përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës.
“Vuçiq tani do të donte të shkaktonte trazira në veri të Kosovës, por ai i shpenzoi të gjitha kreditë e tij pas inkursionit të grupeve paraushtarake serbe në Banjska në vitin 2023, kur u vra një polic i Kosovës”, tha Picula.
Picula vlerëson se çdo destabilizim i mundshëm në Kosovë tani do t’i kushtonte shtrenjtë Vuçiq dhe për këtë arsye ai është më i fokusuar në tensionet e brendshme politike dhe në provokimet ndaj Kroacisë.
Picula tha se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së derisa të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga politika e “botës serbe”.
“Vuçiq po përdor BE-në si bankomat. Qytetarët serbë janë të ekspozuar ndaj një narrative që favorizon lidhjet vëllazërore dhe miqësore me Pekinin dhe Moskën, ndërsa Perëndimi dhe BE-ja janë demonizuar. Nëse nesër organizohet një referendum për hyrjen e Serbisë në BE, s’duhet pritur rezultat spektakolar”, tha Picula.
Ai shton se ndryshimet në qeveri në Serbi mbartin rreziqe për të cilat BE-ja mund të mos jetë e përgatitur, por paralajmëron se përdorimi i forcës nga Vuçiq mund të çojë në një ndryshim të qëndrimit të institucioneve evropiane ndaj tij.
“Prandaj dërgon banditë, provokatorë të ndryshëm, njerëz partiakë që duan ta dobësojnë atë dëshirë për protesta, por nuk ia del”, tha Picula.
Kujtojmë, në fillim të muajit maj Parlamenti Evropian do të votojë raportin e tij për situatën në Serbi, i cili radhit të gjitha çështjet e hapura që Serbia nuk po arrin t’i zgjidhë dhe që janë kritere për progres drejt anëtarësimit në BE.