Alban Begolli
Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin më 21 prill 2025, kur rreshteri i policisë, Muhamed Lika, u privua nga jeta para banesës së tij në Kaçanik.
KosovaNews ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, e cila zbardh detaje të reja dhe hedh dritë mbi rrethanat e kësaj vrasjeje të rëndë.

Sipas dokumenteve të prokurorisë, hetimet paraprake kanë çuar në arrestimin e gjashtë personave të dyshuar si të përfshirë në këtë akt kriminal: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi. Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit, duke argumentuar rrezikun e arratisjes, ndikimin në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale. raporton KosovaNews.

Rrjedha e ngjarjeve sipas Prokurorisë:
– Ora 22:53:50: Rreshteri Muhamed Lika largohet nga Stacioni Policor i Kaçanikut, ku kishte qenë në detyrë, dhe niset drejt banesës së tij. Pamjet e kamerave të sigurisë e konfirmojnë këtë lëvizje.
– Në të njëjtën kohë: I pandehuri Haki Bela largohet nga lokali “Te Luza” dhe lëviz në drejtim të Stacionit Policor, duke kaluar përballë viktimës Lika. Më pas, Bela vazhdon drejt lokalit “UCK”.
– Pas 20 minutash: Viktima Lika takohet me të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika. Kuka drejton veturën “Opel Astra” me targa 05-518-GH, ndërsa Lika është pasagjer. Ata e përcjellin viktimën drejt banesës së tij.
– Ora 22:58: Pranë banesës, Edmond Lika del nga “Opel Astra” dhe viktima Muhamed Lika hipën në veturën e tij “Golf 2”, duke e futur në garazh. Pamjet e kamerave të sigurisë “Dukagjini” e regjistrojnë këtë moment.
– Në të njëjtën kohë: “Opel Astra” largohet nga aty dhe lëviz në afërsi të vendit të ngjarjes.

– Ora 22:56:42: Viktima Lika shihet duke ecur në rrugën “Idriz Seferi”, afër hyrjes së banesës së tij, e regjistruar nga kamerat e sigurisë “Dukagjini”.
– Ora 22:57: Pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit “Te Luzha” tregojnë të miturin Rejhan Bela (i cili nuk është në mesin e gjashtë të arrestuarve, por përmendet si personi që dyshohet se ka kryer vrasjen) duke ndjekur viktimën Lika rreth 15-20 metra pas tij. Viktima hyn në hyrje të banesës (regjistruar nga kamerat e “Megi Barit”).
– Menjëherë pas hyrjes: Pas pak më shumë se një minute, brenda banesës dëgjohen të shtëna. Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe një plumb. Viktima Muhamed Lika konstatohet i vdekur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
– Ora 22:58: Kamerat e sigurisë “Te Luzha” e regjistrojnë të miturin Rejhan Bela duke u kthyer nga e njëjta rrugë dhe duke ikur në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku takohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili e kishte pritur. Së bashku largohen nëpër rrugën “Mërgim Dalloshi”.
– Momente më parë: Kamerat e sigurisë së marketit “Besa” (ora 21:54) e regjistrojnë të pandehurin Haki Bela duke vëzhguar lëvizjet e policisë. Vërehen gjithashtu lëvizjet e të pandehurit Vatan Çaka pas vrasjes.
– Pas vrasjes: I pandehuri Diamant Gashi dyshohet se ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela të largohet nga vendi i ngjarjes. I pandehuri Haki Bela kthehet në vendin e ngjarjes rreth 14 minuta pas vrasjes dhe largohet pas dy minutash.

Prokuroria e konsideron këtë vrasje si “Vrasje të rëndë” të kryer në bashkëkryerje, sipas nenit 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bazuar në provat e siguruara, përfshirë incizimet e kamerave, raportet e policisë dhe provat materiale, prokurori ka kërkuar paraburgimin për të gjashtë të dyshuarit, duke argumentuar rrezikun e arratisjes, ndikimin në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale.

Të gjashtë të dyshuarit për rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, sipas vendimit të gjykatës.
Ky vendim u mor pas paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe shqyrtimit të argumenteve të mbrojtjes gjatë seancës gjyqësore.
KosovaNews do të vijojë të raportojë për zhvillimet e mëtejshme të këtij rasti.


