100 prokurorë të shtetit janë angazhuar për të përcjellë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mbrojtur votën e qytetarëve.
“Për zgjedhjet lokale, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Më tej është thënë se “Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”


