Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, ka shprehur skepticizëm lidhur me formimin e një qeverie të re, ndërsa ka theksuar se Kuvendi do të duhej të ishte konstituuar tashmë
Në një deklaratë për media, Berisha u shpreh se AAK ka qëndrime të qarta për një qeverisje të ardhshme të opozitës. Sa i përket bashkëpunimit me Nismën Socialdemokrate, ai tha se kishte besuar në koalicionin me ta dhe në ndërtimin e një alternative opozitare për qeverisje.
“Nuk e di… duhet të takohemi njëherë me deputetët dhe ta shohim gjendjen. Nuk besoj se do të formohet qeveria, por Kuvendi është dashur të konstituohet tashmë. Sa i përket qeverisë nga opozita, ne i kemi qëndrimet tona të qarta. Për Nismën… s’kam biseduar me ta, sepse është dikush tjetër që i udhëheq ato bisedime. Kam besuar në koalicionin me Nismën dhe në fjalët që kemi thënë – se do të ndërtojmë një qeverisje të opozitës dhe do ta kthejmë Kosovën në drejtimin e duhur. Kam besuar fuqishëm. Ndoshta është thyer besa, por të shohim njëherë.”, tha ai.